​Kurti takon Graham, shprehet për thellimin e marrëdhënieve me Britaninë e Madhe

​Kurti takon Graham, shprehet për thellimin e marrëdhënieve me Britaninë e Madhe

Angazhimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri moderne dhe profesionale që i kontribuon paqes në rajon dhe më gjerë, u theksua në takimin e kryeministrit Albin Kurti me shefen për politikë të gjerë evropiane të Ministrisë së Mbrojtjes britanike Sarah Graham.

Kurti ka falënderuar shtetin britanik për kontributin në edukimin dhe trajnimin e oficerëve të rinj, të cilët kthehen në Kosovë me njohuri dhe motivim të lartë, duke thënë se fituesit e Shpatës së Nderit të Akademisë Ushtarake Mbretërore Sandhurst janë ambasadorët më të mirë të përkushtimit dhe potencialit të FSK-së.

Ai po ashtu theksoi punën dhe synimin e Qeverisë për anëtarësim në programe e nisma rajonale e ndërkombëtare, si A5 dhe Partneriteti për paqe.

Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Britanisë së Madhe, si aleat i shtetit tonë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe përkrahjen që shteti britanik ia ka dhënë Kosovës. Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të thelluar edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Britaninë e Madhe.

Ndërsa Graham përsëriti përkrahjen në planin afatgjatë për Kosovën dhe shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Ajo vlerësoi angazhimin institucional për të garantuar sigurinë në vend dhe stabilitetin në rajon.

Në takim u diskutua për veprimet dhe masat që institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë, me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe ruajtjen e shëndetit publik.