1 vit nga Marrëveshja e Uashingtonit, Serbia fitoi 400 milionë dollarë, Kosova çka fitoi?

LAJME

Tani po bëhet 1 vit nga Marrëveshja e Uashingtonit, me pompozitetin e nënshkrimit të saj disa nga mendjet e lehta e quanin edhe historike, pa asnjë element përkatës të saj.

Ata që e quanin historike, ishin soji i atyre ministrave të asaj kohe që për herë të parë udhëtonin me avion diku, për më tepër në Shtëpinë e Bardhë.

Të ekzaltuar shumë nga kjo marrëveshje, argatët e Grenellit ishin në gjendje të nënshkruanin çdo gjë, mjaftonte që të shkonin në Shtëpinë e Bardhë, të takonin presidenti amerikan.

Mendjet e shkurtra kurrë nuk sjellin sukses të garantuar, afatgjatë dhe në dobi të popullit. S’kishte si të ndodhte ndryshe, përveç dështimit të kësaj marrëveshje, e cila ka dështuar të ratifikohet në kuvend.

Tanimë ajo marrëveshje nuk është për Kosovën që ka ngel me gishta në gojë. Nga marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, asnjë përfitim konkret nuk është parë në terren, Serbia ka zhvesh xhaketën e përgjegjësisë për mungesë të marrëveshjes, ish administrate Trump e përdori për fushatë në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, ndonëse pa sukses, për këtë arsye ishte bërë i gjithë presioni tek shqiptarët e Kosovës për të vënë nënshkrimin.

Ish qeveria Hoti, e brishtë nga numrat dhe përmbajtja, nuk ishte e gatshme të merrte përgjegjësit për zbatimin e saj, me ditët e numëruara s’kishte si të garantonte diçka që nuk varej nga ajo.

Nga kjo marrëveshje Kosova vetëm sa stagnuar në përpjekjet e saja për anëtarësim në organizatat ndërkombëtar, krejt kjo si pjesë e moratoriumit njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në 12 muajt e fundit, Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në asnjë organizata ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Serbia ndonëse ka marrë obligim që të pezullojë iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, në të vërtetë fushatën nuk e ka ndaluar, Kosova s’ka përfituar asnjë njohje që nga ajo marrëveshje.

Për më tepër Serbia ka arritur të përfitojë nga DFC (Korporatën Amerikane për Zhvillim Financiar Ndërkombëtar) një skemë të re garancie, e cila parashikon që institucioni financiar të sigurojë 400 milionë dollarë si garanci për miratimin e kredive bankare për kompanitë në Serbi.

Kosova pa përfitim, lojë në duart e njeriut të afërt të Serbisë, ish ambasadorit Grenell, u përdorë si lodër në duart e tyre për interesa të tyre të brendshme.

Kështu ndodh kur ke në qeveri njerëz pa kredibilitet, pa përgjegjësisë, servilë dhe pa vizion.

Marrëveshja e Uashingtonit ishte e predispozuar që të ishte dështim për Kosovën, Serbia përfitojë nga gjithë kjo lojë.