
Për këtë vendim të Qeverisë, është deklaruar edhe vet kryeministri Kurti, i cili ka thënë se kjo po bëhet në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, madje duke themeluar zyrën për Preshevë të Zyrës së Kryeministrit.
“Kam emëruar znj. Ardita Sinani, Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna dhe për mbrojtjen e avancimin e të drejtave të tyre, do të themelojmë Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do të koordinohet nga znj. Sinani”, thuhet në deklarimin e Kurtit.
Këtë vendim e ka komentuar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, për të cilin ka thënë se është hap i gabuar dhe për më tepër i dëmshëm.
“Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë apartiak. Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë”, ka thënë ndër tjera Çitaku.
Kurse, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë idenë e themelimit të zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të zyrës së kryeministrit ishte ide e vendime të marrura nga Qeveria Hoti para dy vitesh.
Përmes një postimi në Facebook, Selmanj tha se në vitin 2020 Qeveria Hoti kishte votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj zyre.
“Albin Kurti promovon si ide dhe vendime të reja diçka që para dy vitesh Qeveria Hoti i ka marrë. Me 28 shtator 2020 Qeveria e Kosovës më qëllim të institucionalizimit të mbështetjes shtetërore për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ka votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj Zyre”, shkroi Selmanaj
Mirëpo, analistët këtë veprim të Kurtit e vlerësojnë shumë me vet faktin se shqiptarët atje pritët të futen në procesin e dialogut me Serbinë.