February 8, 2023

Sot u raportua se Parlamenti Evropian (PE) pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE) të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë.

Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji.

Në propozime po ashtu thuhet se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.

Në disa qarqe të BE-së është shprehur zhgënjim me sjelljen e Serbisë, pasi Beogradi javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje për konsultime në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse.

Edhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për këtë marrëveshje, teksa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se në kohën kur pushtimi i Ukrainës po vazhdon, askush nuk do të duhej “të nënshkruante diçka me Rusinë”.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka vetëm një vit afat që të nënshkruajë një marrëveshje me Kosovën dhe një ditë afat që t’i vendos sanksione Rusisë, menjëherë pasi të formohet qeveria e re me në krye Ana Bërnabiç”, kështu kanë shkruar mediat e Beogradit duke cituar burime diplomatike.

Nëse Serbia nuk është e gatshme të harmonizojë politikat e jashtme me ato të Bashkimit Evropian, atëherë do të përballet me masa kufizuese të BE-së.

“Nëse Bashkimi Evropian vendos për sanksione, hapi i parë do të jetë ndalimi i fluksit të parave në Serbi, pastaj anulimi i Shengenit, ndalimi i negociatave për anëtarësim në BE dhe më pas vijnë sanksionet”.

Për këtë çështje, profesori dhe analisti politik, Sulejman Mehazi thotë se asnjëherë më parë BE-ja nuk i ka vë kësi kushte të rënda Serbisë.

“Si kurrë më parë BE-ja kësi kushte të rënda nuk i ka dhënë Serbisë që të deklarohet hapur e qartë se a është për sanksione ndaj Rusisë apo jo?, se a është me BE-në apo Rusinë?, se a është Vuçiqi për ndikimet ruse në Ballkanin Perëndimor apo për BE-në?, se a është për paqë apo për luftë me Kosovën?, se a është për një dialog përfundimtarë e paqësor për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë apo jo?”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”.

Ai beson se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, si ka mbetur gjë tjetër përveç që të pranojë kushtet paralajmëruese të BE-së në lidhje të shkëputjes së miqësisë së Serbisë me Rusinë.

“Nëse presidenti i Serbisë pranon urdhërat e BE-së për të sanksionuar Rusinë atëherë Vuçiqi do jetë i detyruar të pranonte edhe dialogun e stërgjatur e të lodhshëm të njohjes së Kosovës, nëse presidenti i Serbisë nuk pajtohet me sanksionet ndaj Rusisë atëherë varianti tjetër është izolimi total i Serbisë nga ana e BE-së, përveç kësaj do elektrizohej situata në Veri të Kosovës për një luftë të mundshme në mes Kosovës e Serbisë, ky variant i përskeqjes së situatës në Kosovë më së shumti do i konvenonte qeverisë së Kosovës për shkak se do përkrahej nga forcat progresive evropiane e amerikane”, thotë Mehazi.

Ai shton se, gjatë ditëve në vijim do kuptojmë se Vuçiqi a është për luftë apo për paqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *