April 2, 2023

Qeveria e Kosovës ka caktuar sot 105 vlerën e koeficientit të pagave.Për këtë ka pasur reagime të shumta nga opozita e shoqëria civile, që e kanë kritikuar vlerën e koeficientit.Të ulët e kanë quajtur këtë koeficient edhe ekonomistët.Safet Gërxhaliu, ish kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë për Gazeta Blic se është paradoksale që të miratohet një ligj i tillë me shpejtësi dhe të ratifikohet ashtu nga presidentja, e po ashtu brengosëse është edhe mbajtja e fshehtë deri tani e koeficientit.

“Është e vërtetë që viti 2022 do të mbahet mend që ka munguar një dialog i mirëfilltë në partneritet në rend të parë publiko-privat, në rend të dytë nuk ka pasur debat të mirëfilltë në mes të pozitës dhe opozitës, fundi të gjitha kanë qenë një shkëputje evidente, e para, mos komunikimi i nivelit qendror dhe atij lokal dhe e dyta, e aktivizimit, që ka të bëjë me administratën publike apo ministrinë e punës me odat ekonomike apo sindikatat. Në këtë drejtim vërtet është paradoksale të miratohet një ligj i tillë me shpejtësi, kur dihet sa i rëndësishëm është Ligji i Pagave në administratë, e dyta shpejtësia e nënshkrimit apo ratifikimit nga presidentja dhe vet fakti që, që sa kohë është mbajtur fshehtë koeficienti, janë diçka që vërtet duhet të na brengosin”, thotë ai.

Sipas Gërxhaliut, është pritur që koeficienti të jetë më i lartë dhe nga ky koeficient i caktuar janë goditur tri segmente.
“Në këtë drejtim, besoj që është një koeficient që them të drejtën e kam pritur që do të jetë shumë më lart dhe mendoj se do të sjell pakënaqësi, dhe mbi të gjitha janë tri segmente të goditura. Në rend të parë është segmenti i sigurisë, në rend të dytë segmenti i shëndetësisë dhe mjekësisë dhe në këtë drejtim besoj që në njëfarë forme është mbështetur sektori i arsimit, edhe pse besoj tentativa për t’i nivelizuar pagat, që të gjithë sektorët ta kenë nivelin e barabartë të pagave është një qasje e gabuar. Jemi dëshmitarë në dhjetor të vitit 2022, për krizën në veri dhe shpëtim e mbrojtje kanë qenë mu te Policia e Kosovës, e cila ka qenë në kushte mjaft të vështira, dhe në këtë drejtim besoj që kjo tentativë për të nivelizuar çdo gjë është e gabuar, duhet të ketë kritere, duhet të ketë indikatorë dhe sipas rëndësisë së sektorit, jepet edhe paga. Por, ajo çka është më shqetësuese se fakti tjetër është që një ndër indikatorët më dështues viteve të fundit në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit dhe në qoftë se nivelet më të lartë të drejtësisë, prokurorë, gjykatës, do të thotë u ulet paga, janë të goditur në këtë mënyrë, besoj që është një demotivim për ta dhe një eksperiment që në të ardhmen e afërt Kosovës do t’i kushtojë shumë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *