“Albin Kurti nuk do ta lejojë!” Ky është skenari i Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe marrjen e veriut

LAJME

Janë bërë më shumë se 10 vite që kur ka filluar dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Shumë marrëveshje janë arritur deri tani, shumë prej tyre dhe të dëmshme për Kosovën e shumë të tjera që nuk janë respektuar fare nga ana e Serbisë.

Pavarësisht bisedimeve të gjata, Serbia e cila ka qenë agresori në luftën e fundit në Kosovë, kjo e fundit viktima, Serbia ende nuk ka kërkuar falje për kryerjen e krimeve ndaj shqiptarëve dhe vazhdimisht këmbëngulë se nuk do ta njoh Kosovën si shtet të pavarur.

Kështu, një marrëveshje finale me njohje nga Serbia duket se është ende larg.

Përgjatë këtyre viteve natyrisht se janë ndryshuar dhe ekipet e dialogut, negociatorët, varësisht nga partitë në pushtet.

Tani dialogu nga Kosova udhëhiqet nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

E këtë gjë e quan fat analisti dhe profesori nga Amerika, Binak Maxharraj.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se ai nuk lëshon pe siç kanë bërë Hashim Thaçi e Isa Mustafa.

“Është fat që në krye të dialogut është kryeministri Albin Kurti, i cili nuk lëshon pe për asgjë kur është në pyetje Kosova dhe sovraniteti i saj, ashtu siç bënte Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Albin Kurti do të ja marrë të gjitha adutet e Serbisë gjatë dialogut sepse të gjitha faktet janë në anën e tij, e jo të Serbisë”, është shprehur ai.

Sipas tij, Serbia nuk ka hyrë në dialog për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën por për ndarjen e saj, copëtimin apo marrjen e veriut të Kosovës që ka vlerë tejet të madhe.

“Ajo ka hyrë në dialog që 11 vite, jo për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, e as për përmirësimin e pozitës së serbëve të Kosovës sepse ata i ka vetëm si jetë manipulimi, por qëllimi i saj nacional është ndarja e Kosovës, copëtimi i saj ose thjeshtë marrja e Veriut të Kosovës e cila e ka vlerën 2.5 herë më të madh se sa krejt Serbia dhe 10 herë më të madhe se sa Shqipëria sepse është territor i pasur me flori e ar me vlerë 600 miliardë euro rezerva që Kosovës do t’i mjaftonin për 6 shekuj eksploatim”, ka vlerësuar Maxharraj.

Ai ka theksuar se Serbia këtë dëshiron ta bëjë qoftë edhe përmes Asociacionit, modelit të Thaçit e Mustafës, gjë të cilën Kurti nuk do ta lejojë.

“Pra, këtu është interesi nacional që Serbia rri në dialog, që Veriun ta marrë qoftë edhe përmes Asociacionit me kompetenca ekzekutive (mini-shtet brenda Kosovës) sipas modelit të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës me të drejtë shkëputje pas disa viteve, të cilën gjë Albin Kurti nuk do ta lejojë për së gjalli”, ka deklaruar Binak Maxharraj.

Ndryshe, ishte paraparë që një takim i nivelit të lartë në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq të mbahet brenda këtij muaji, por sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, për shkak se nuk ka përparim në dialogun teknik dhe nuk ka arsye të ketë një takim të nivelit të lartë.