Arben Vitia jep një lajm të mirë për vaksinim, por ka edhe lajmin e keq për punëtorët e administratës

LAJME

Situata epidemiologjike, Ramadani: Ka indikatorë që po shkohet drejt stabilizimit
Ministri Vitia: 93 për qind e të shtrirëve në spitale, të pavaksinuar

Nga 12 shtatori, qendrat e vaksinimit do të jenë të hapura edhe të dielave. Meqë deri një ditë pas, janë në fuqi masat që janë marrë për parandalimin e përhapjes së pandemisë, ministri i Shëndetësisë nuk ka përjashtuar edhe për vendosjen e masave të reja. Ndërkohë, 170 persona kanë vdekur vetëm gjatë kësaj jave, e 149 prej tyre kanë qenë të pavaksinuar. Spitalet janë plot me pacientë të cilët po kërkojnë shërbime, madje është shtuar edhe numri i pacientëve të kyçur në respiratorë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhjes së komitetit anti-Covid tha se valët e reja të përhapjes së pandemisë janë të pashmangshme. Ai ka theksuar se janë administruar gati 900 mijë vaksina, 300 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat. Kurse gati 300 mijë të tjerë me një dozë.

Vitia: Nga data 12 shtator do të kemi vaksinim edhe të dielave

“Duke filluar nga data 12 shtator ne do të kemi vaksinim edhe të dielave, dhe nga 410 mijë vaksina të administruara nga muaji gusht, presim që të kemi edhe më shumë të vaksinuar në muajin shtator. Edhe kjo javë ka qenë një javë e vështirë për qytetarët tanë dhe për personelin shëndetësor, natyrisht. Numri i të infektuarve përkundër një rënie të lehtë vazhdon të jetë akoma i lartë…. Shkalla e pozitivitetit në këtë javë ka qenë 13,63 për qind. E ndjej të nevojshme të theksoj që nga mesatarisht 1200 të hospitalizuar, rreth 91 për qind kanë qenë të konfirmuar me COVID-19. Nga ana tjetër çfarë është me rëndësi, prej atyre që janë hospitalizuar dhe të konfirmuar me COVID-19, 93 për qind e këtyre pacientëve kanë qenë të pavaksinuar”, ka njoftuar Vitia.

Më tej, Vitia ka treguar se shumica e personave që kanë humbur jetën kanë pasur sëmundje shoqëruese, por edhe nuk kanë qenë të vaksinuar.

Vitia: Nga 170 persona të vdekur, 149 të pavaksinuar

“Gjatë kësaj jave fatkeqësisht kemi pasur në total 170 persona që kanë humbur jetën me përballjen me COVID. Dhe nga numri total i 170 rasteve të vdekjeve në këtë javë, 149 kanë qenë të pavakisnuar. Kurse nga grup-moshat e të vdekurve, kanë qenë që janë të vaksinuar, 50-59 vjet një rast, 60-69 tri raste. Dhe mbi moshën 70 vjecare-17 raste. Sa i përket sëmundjeve shoqëruese, vetëm për dy nga të ndjerët nuk kemi informata nëse kanë pasur sëmundje shoqërues, kurse 19 prej tyre kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, ka shtuar Vitia.

Ai ka përsëritur, se nga 13 shtatori punëtorët e administratës publike duhet të kenë një dëshmi, kartën e vaksinimit apo testin PCR negativ në 72 orët e fundit apo testin serologjik jo më të vjetër se 30 ditë.

Ai nuk ka përjashtuar vendosjen e masave të reja para kësaj date.

Vitia: Para 13 shtatorit ku do të vendoset se si do të procedojmë tutje

“Para 13 shtatorit do të kemi edhe takime të tjera, por edhe një takim ku do të vendoset se si do të procedohet tutje. Natyrisht, kjo nuk e përjashton mundësinë edhe të masave të reja para kësaj date, bazuar në këto raportime dhe bazuar në rekomandimet që vijnë nga ekspertët dhe IKShPK”, ka deklaruar Vitia.

Megjithatë, masa më e mirë për drejtorin e IKShPK-së, mbetet vaksinimi. Naser Ramadani në këtë konferencë për media tha se prej 20 për qind të pozitivitetit ka rënie në 13 për qind.

Ramadani: Pozitiviteti ka rënë në 13 për qind

“Prej 20 për qind, maksimum të pozitiviteti kemi rënë në 13 për qind. Është një indikator shumë pozitiv dhe që flet se kemi filluar të stabilizohet gjendja dhe situata epidemiologjike. Vdekshmëria në dy javët e fundit paraqitet me 0,88 për qind. Është gjysma e asaj mesatare të të gjitha rasteve të deritanishme. Kjo gjithashtu flet për një indikator pozitiv, i cili në javët në vazhdim do të jetë më i përmirësuar dhe më i dukshëm. Krahasuar me totalin e të prekurve, grup-moshat më të prekura mbeten 30-39 vjeç, me 18,9 për qind. Por, disa indikatorë thonë se janë të prekura me variantin Delta edhe grup-moshat 0-9, 10-19 dhe 29 vjeç”, u shpreh ai.

Ramadani ka bërë të ditur se 2,2 për qind e nxënësve kanë rezultuar pozitiv gjatë kësaj kohe. E, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi tha së ditëve të fundit janë përballur me fluks të madh të pacientëve. Ai ka përmendur tri karakteristikat e variantit delta, duke shtuar se janë mirë të furnizuar me oksigjen dhe barna.

Krasniqi: 79 pacientë janë të kyçur me respiratorë

“Sot kemi 79 pacientë që janë të kyçur në respiratorë, qoftë në modën cipap, qoftë të intubuar. Dhe kjo shënon një rritje për 10 pacientë më shumë se dje. Tri ditët e fundit kemi pasur më shumë pacientë të kyçur me respiratorë dhe kjo rrit rrezikun real për përfundim me fatalitet fatkeqësisht. Mbi 90 për qind e të shtretërve në spital janë të pavaksinuar”, ka deklaruar Krasniqi.

Në 24 orët e fundit janë konfirmuar mbi 1600 raste me C 19, ndërsa 26 persona kanë vdekur.

Varianti Mu, Vitia: Po e përcjellim situatën

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka folur për mundësinë e përhapjes së variantit të ri të COVID-19 Mu dhe tha se janë duke e përcjellë situatën.

Ai tha se për këtë është koordinuar me IKSHPK-në dhe se janë në vëzhgim të secilit variant të mundshëm.

“IKSHPK na ka njoftuar menjëherë se është një variant që dihet shumë pak për të, por edhe nga mekanizmat kredibilë dihet pak për të. Bashkë me IKSHPK-në jemi duke e përcjellë me shumë vëmendje jo vetëm për këtë variant, por edhe të tjerë.

Do të vijmë në përfundime të tilla në qoftë për masa apo diçka tjetër që vijnë nga rekomandime të ekspertëve”.

Drejtori i ShSKUK-së: Asnjëherë s’kemi pasur numër kaq të madh të pacientëve me oksigjeno-terapi

Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se spitalet e përgjithshme dhe QKUK-ja janë të stërmbushura me pacientë.

Ai megjithatë ka thënë se në dy-tre ditët e fundit ka pasur një tendencë të rënies së numrit të atyre që po kërkojnë trajtim spitalor.

“ShSKUK tashmë ditëve të fundit është përballur me një numër të madh të pacientëve si pasojë e numrit të madh të rasteve të reja të infektuara. Para katër-pesë ditësh kemi pasur numrin më të madh të pacientëve që kanë marrë trajtim spitalor, rreth 1300, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar. Megjithatë ditëve të fundit ka një tendencë të lehtë, një rënie të numrit të rasteve që po kërkojnë spitalizim dhe sot në shtatë spitalet e përgjithshme dhe QKUK po trajtohen rreth 1200 pacientë të prekur nga COVID-19”.

Krasniqi, në një konferencë për media, ka njoftuar se nuk ka pasur asnjëherë numër më të madh të pacientëve të hospitalizuar që janë në oksigjeno-terapi.

“Na brengos numri i vdekjeve, mirëpo nga 1209 pacientë që sot po trajtohen në spitale mbi 1000 prej tyre janë në oksigjeno-terapi dhe kjo ka të bëjë me agresivitetin e sëmundjes. Asnjëherë nuk kemi pasur numër kaq të madh të rasteve që kanë pasur nevojë për oksigjeno-terapi. Jemi në javën e katërt që nga fillimi i rritjes së rasteve dhe nga aspekti shkencor te infeksionet respiratore karakterizohen me mundësi më të madhe të paraqitjes së komplikimeve në mushkëri dhe këtë po e vërejmë edhe ne si ShSKUK”.

Ministri Vitia: Masat në fuqi edhe 10 ditë, ja çfarë pritet më pas

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media ka thënë që këto masa që janë ndërmarrë javën e kaluar do të jenë në fuqi edhe 10 ditë të tjera.

“Deri më 13 shtator do të jenë këto masa, zbatimi i masave është i rëndësishëm për efektin e tyre”.

Vitia tutje tha që të gjitha institucionet do të përcjellin situatën ne terren, dhe që do të mbahen takime derisa të vendosin se si do të vazhdojnë pas 13 shtatorit.

Kujtojmë që ora policore u rikthye sërish prej 28 gushtit të këtij viti. Përveç orës policore, janë vendosur edhe shumë masa të tjera, si kufizimi i punës së gastronomisë, bartja e maskave.

Ministri Vitia: 93 për qind e të shtrirëve në spitale, të pavaksinuar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës ka refuzuar donacione me vaksina nga Polonia dhe Bullgaria.

Vitia ka pranuar se janë refuzuar këto donacione, pasi siç thotë ai, ka pasur rrezik që atyre t’u dalë afati.

“Po, është e vërtetë, janë refuzuar disa donacione me vaksinën Astra Zeneca. Kanë qenë oferta për donacione, pas donacionit që kemi marrë nga Norvegjia. Të cilat kanë pasur një afat skadence, jo optrimal që do të na kishte garantuar administrimin për qytetarëve tanë. Ne i kemi falënderuar dhe i kemi refuzuar sepse ka pasur rrezik se nuk do të mund t’i administrojmë”, tha Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se sipas të dhënave të javës së kaluar, duke mos përfshirë të dhënat e 3 shtatorit, mbi 93 për qind e personave me COVID-19, që po trajtohen në spitale, kanë qenë të pavaksinuar kundër koronavirusit.

Gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Komitetit për parandalimin e koronavirusit, Vitia po ashtu tha se në shtatë ditët e kaluara, kanë vdekur 170 qytetarë.

“Gjatë kësaj jave, 170 persona kanë humbur jetën dhe nga numri total i të vdekurve, 149 kanë qenë të pavaksinuar”, tha Vitia.

Ai po ashtu bëri të ditur se në mesin e viktimave, vetëm për dy prej tyre nuk kanë të dhëna nëse kanë pasur sëmundje shoqëruese, ndërsa shumica e viktimave kanë pasur edhe sëmundje të tjera.

“Vaksinimi nuk ka alternativë. Valë të reja mund dhe do të pasojnë pas kësaj pa vaksinim. Valë të reja janë të pashmangshme. Vetëm vaksinimi i parandalon këto valë”, tha Vitia.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e masave të reja para 13 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat e fundit të ndërmarra nga qeveria.

Javëve të fundit, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve të reja me COVID-19 dhe të vdekjeve. Vetëm gjatë të premtes, u regjistruan edhe 26 viktima dhe mbi 1.400 raste të reja.

Situata epidemiologjike, Ramadani: Ka indikatorë që po shkohet drejt stabilizimit

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se situata epidemiologjike në vend vazhdon të jetë e rëndë edhe pse ka indikatorë që tregojnë se është drejt stabilizimit.

“Situata me COVID-19 vazhdon të jetë e rënduar edhe pse në ditët e fundit kemi një stabilizim dhe një rënie të lehtë të parametrave. Deri më sot kemi mbi 1 milionë testime dhe ky është një rekord i thyer. Kemi një rënie të rasteve aktive që flet për një indikator të stabilizimit dhe arritjes së kulmit të valës dhe tash pritet që të bie gradualisht”.

Ramadani tha se ekipet e IKSHPK-së janë në terren dhe po gjurmojnë rastet aktive për të izoluar vatrat e përhapjes derisa fajtore la grumbullimin nëpër klube, restorante dhe kafene.

Po ashtu, ai tha se në ditët në vazhdim do të synojnë të ndalin rastet fatale.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, janë duke mbajtur konferencë për media.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka paralajmëruar se nga 13 shtatori i këtij viti punëtorët e administratës publike nuk do të mund të shkojnë në punë pa e prezantuar certifikatën e vaksinimit, testin PCR jo më të vjetër se 72 orë dhe testin serologjik

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi se kanë marrë vendim që nga data 12 shtator të filloj vaksinimi i qytetarëve kundër Covid-19 edhe të dielave.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia së bashku me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramdani do të mbajnë konferencë për media.

Konferenca do të mbahet tek ndërtesa e Qeverisë në orën 17:00.

Nuk dihet arsyeja se pse është thirrur kjo konferencë. Kujtojmë se sot janë shënuar edhe 22 raste të reja të vekjeve nga CoVID-19.

Ndërsa kanë rezultuar pozitiv me virusin edhe 1 mijë e 448 qytetarë të Kosovës.