Asnjë shenjë nga minatori pas rreth 72 orësh, reagon kolegu i tij: Shpresojmë të jetë gjallë (Video)

LAJME

Prej më shumë se 72-orësh minatori Muharrem Plaku ka mbetur në galeritë e një miniere në Bulqizë dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tij. Ish-minatori Ferat Kurti, i cili ka punuar me Plakun më parë në një minierë tjetër thotë e ekziston mundësia që ai të jetë gjallë por situata është sigurisht shumë e rëndë.

Në një intervistë për Report Tv, minatori thotë se për aksidente të tilla duhen nxjerrë përgjegjësit pasi sa herë ndodhin të tillë incidente shikohet gjithnjë interesi i pronarit dhe jo i punëtorit.

“Unë kam 30-vjet minator, kam punuar në punime vertikale në puse. Këto janë horizontale, s’ka puse. Aty ku minatori ka mbetur brenda në galeri aktualisht është shumë ngushtë. Nuk ka mundësi të rrijë person i tretë. Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Ata kanë menduar hajd të shfrytëzojmë kromin dhe ec. Interesi është i pronarit dhe jo i punëtorit. Punëtori lë jetën për një rrogë mujore. Muharrem Plaku ka pasë punuar në pus dhe duke qenë se nuk i dilte rroga ka shkuar atje”, tha minatori Ferat Kurti.

Ju keni punuar personalisht me z. Muharrem Plaku?

Po unë kam punuar me të në pus. Më vonë ai e la se ishte paga më e vogël atje tek ne. Dhe ai iku për një pagë më të mirë. Rreziqet ekzistojnë por problemi është kush mban përgjegjësi për këto probleme? Ajo minierë është përdorur që nga regjimi i Enver Hoxhës. Këtu hahën këmbët gjithmonë. Dhe mua më merr mendja që ka shembje masive.

Ka teknikë që e menaxhojnë punën?

Po ka, por sicc duket ata marrin pagesat e tyre dhe nuk shikojnë interesat e punëtorëve. S’kam parë ndonjëherë që të dëmtohet një inxhinier, apo teknik apo ku di unë. Punëtori gjithmonë e han.

Ju keni punuar prej vitesh, ka shumë aksidente në miniera?

Aksidente ka shumë. Merren masa të vogla dhe punëtorit i japin ditën e punës, as raport nuk i japin. Sigurisht që ka edhe minatorë të pasiguruar. Kjo zona është kaq e madhe dhe ka kaq shumë minarorë.

Cila prej kategorive të punonjësve është më e rrezikuar?

Minatori e ka gjithmonë rrezikun me vete. Po të jesh nën tokë rrezikshmëria ekziston.

Ekziston mundësia që të jetë gjallë në ndonjë prej tuneleve të galerisë?

Ekziston ajo mundësi! Por duhet të kuptojmë se ai mund të jetë i plagosur, në errësirë, në gjendje të rëndë psikologjike.

Kush mund të jetë fajtori në këtë rast?

Për këtë duhet të pyesni një inxhinier.