Cakolli: Po u dashka që në kufi të dërgohet njësia speciale, që BE të kërkoj dialog për lëvizjen e lirë

LAJME

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli përmes një postimi në Facebook, ka komentuar kërkesën e Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë për cështjen e lëvizjes së lirë.

“Pra, po u dashka që në pikat kufitare në veri të dërgohen forcat speciale të Policisë së Kosovës, në mënyrë që BE-ja të kërkojë dialog mes palëve për çështjen e lëvizjes së lirë, përkatësisht të targave”, shkroi Cakolli në Facebook.

Cakolli pyeti se për çfarë të dialogohet, kur dihet se tash e sa vjet Serbia ka aplikuar regjimin e targave të përkohshme dhe letrave të hyrje/daljes.

“Po për çka të dialogohet? Targat e përkohshme janë të parapara me marrëveshjet që vet BE-ja i ka ndërmjetësuar. Nëse është fjala për lëvizjen e lirë, në kuptim të plotë të fjalës, atëherë pse nuk është reaguar tash e sa vite prej kur Serbia ka aplikuar regjimin e targave të përkohshme dhe letrave të hyrje/daljes – të cilat Kosova njëanshëm nuk i ka zbatuar, edhe pse ka pasur të drejtë”, u shpreh Cakolli.