Çun Lajçi: Boll ma Albin, s’je baba sheh! Lëviz se nuk jetohet me andrrat e nji 14 shkurti

LAJME

Aktori i njohur, Çun Lajçi, përmes një postimi në facebook ka drejtuar një mesazh ndaj kryeministrit, Albin Kurti.

Çuni i ka bërë thirrje Kurtit që të zgjodhët, pasi nuk jetohet me ëndrrat e 14 shkurtit.

“Nuk mbahet shteti veç me t’falune. Ju çka po bani për shtetin, ju? A e dini se shendetsinë e keni lanë n’mjerim! A e dini se spitalet janë ba tmerri i t’shëndoshit e varri i t’smutit! Boll ma edhe ti Albin me shukatje e hukatje, se s’je baba sheh! Lëviz se nuk jetohet me andrrat e nji 14 shkurti!”, ka shkruar Lajçi, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Nuk je baba sheh!

Po e prejmë me gërshanë. S’po e presim as hoxhen as priftin. Fjalime si unë s’din me mbajtë as kadia, por as ju që thastë i keni mbushë me budallaki!

Boll e keni tjerrë leshin tuej e lamsha keni pshtjellë si keni dashtë.

Kam heshtë për aç sa m’ka lejua heshtja e dashnia që kam për juve!

Tani po e ve n’furkën time shllungën e fajeve tueja e po tjerri pa iu pyet, se pa iu pyet edhe iu votova!

‘Gjurullti’ e keni ba për pak muej. Zgjohuni sa s’jemi zgjua ne që iu besuem, se nuk jetohet me kore buke.

Ku e keni arsimin? Ku e keni mjeksinë e policinë? S’po iu pyes për kulturën. Për shëndetin e popullit po iu pyes!

Ku e keni diplomacinë? Si lehen ambasadat mbyllë?

A jeni qorrua apo jeni çmendë vetknaqësie?

S’mjafton veç me folë!

Vepra don ky popull i dergjaft që vdes çdo ditë!

Nuk mbahet shteti veç me t’falune. Ju çka po bani për shtetin, ju?

A e dini se shendetsinë e keni lanë n’mjerim! A e dini se spitalet janë ba tmerri i t’shëndoshit e varri i t’smutit!

Boll ma edhe ti Albin me shukatje e hukatje, se s’je baba sheh! Lëviz se nuk jetohet me andrrat e nji 14 shkurti!