“Dilema për bashkëpunimin me SHBA”/Avdullah Hoti thotë se Qeveria po i shkakton vendit dëm të madh me këtë veprim

LAJME

Ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, konsideron se është dëm i madh hapja e dilemave se a duhet të ndërtohet rrjeti që i mundëson Kosovës qasje në gaz.

“Në Qeverinë Mustafa të viteve 2014-2017 janë plotësuar kushtet që Kosova të bëhet pjesë e MCC-së. Dhe ka disa vite që MCC, bashkë me institucionet e Kosovës, ka bërë studimet e nevojshme për diversifikimin e resurseve energjetike, përfshirë edhe furnizimin me gaz”, shkruan Hoti në Facebook.

Ai tregon se gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, qeveria ka finalizuar listën e projekteve për tu përfshirë në financimin nga MCC, e cila është bazuar në studimet e parafizibilitetit. Në këtë listë ka qenë i përfshirë edhe rrjeti për qasje në gaz në Maqedoninë e Veriut.

“As në Qeverinë Mustafa dhe as në Qeverinë time nuk kemi pasur asnjëherë dilema për bashkëpunimin me SHBA. Është dëm i madh që tani hapen këto dilema, në veçanti pasi Presidenti Biden e ka njoftuar Kongresin se e ka ndarë shumën prej 200 mil dollarë për projekte të MCC-së në Kosovë. Në vend që të shkohet përpara me projektin e gazit, hapet debati për rikostruim të TC Kosova A që është kancer ambientialist”, u shpreh Hoti.

Ai tha se projekti i gazit ka dimension ekonomik dhe gjeopolitik.

“Duket se asnjëri nga këto dimensione nuk po kuptohen sa duhet apo po neglizhohen nga qeveria aktuale”, përfundoi Hoti.