“Ditë të mira po vijnë”/ Parashikimet e Liri Loshit për komandantët e UÇK-së: Ja çfarë do të ndodhë me komandantët e AAK-së

LAJME

Ish-mjeku i UÇK-së dhe publicisti Liri Loshi, përmes një postimi në Facebook, thotë se ditë të mira pritet të vijnë për Kosovën pas largimit të komandantëve nga politika.

Loshi përmes një postimi në Facebook, shkruan se, komandantët e AAK-së së shpejti do të shkojnë në shtëpi.

Sipas tij, Ramushi me shokë, pra AAK-ja pas katër viteve nuk do të kalojë pragun.

Këto komente Loshi i bëri pas reagimeve të militantëve të PDK-së, siç thotë ai, militantë agresiv të PDK-së dhe veteranë të rrejshëm e që punojnë për komandantët e tyre.

Postimi i plotë:

Ashpërsia e reagimeve të militantëve të PDK-së rreth postimeve të mia për komandantët në politikë, nuk reflekton vetëm frustrimin për humbjen e pushtetit, por edhe situatën e palakmueshme të komandantëve brenda vetë subjektit të tyre politik.

Është më së e ditur se militantët më agresivë të PDK-së janë veteranët e rremë, të cilët janë të shantazhuar nga ish komandantët e tyre dhe punojnë për ta. Ata nuk punojnë për Memli Krasniqin.

Lidershipi i ri i PDK-së e ka të qartë se me komandantët, subjekti i tyre politik nuk do të arrijë më asnjëherë të bëhet atraktiv për votuesin kosovar. Prandaj do të bëjë çmos që të çlirohet nga emrat dhe hijet e tyre. Kjo do të thotë se epoka e komandantëve në pushtet dhe në politikë përgjithësisht ka përfunduar.

Të fundit që do të shkojnë në shtëpi, do të jenë komandantët e AAK-së, apo Ramushi me shokë. Nuk duhet harruar se AAK-ja është një parti lokale, ku dukagjinasit për shkak të inferioritetit të tyre, janë bashkuar në një grup politik për t’i bërë karshillëk Drenicës. Kur PDK-ja më nuk do të ketë komandantë, Drini (Dukagjini) prapë do të kthehet në shtratin e vet, pra kryesisht në LDK.

Megjithatë, Vetëvendosje, si parti që bashkon të rinjtë, mund ta mbajë primatin edhe në Dukagjin. Pas katër vitesh AAK-ja nuk do ta kalojë pragun.

Ditë të mira pritet të vijnë për Kosovën. Në politikë do të dominojë konkurrenca e punës, e dijes dhe ekspertizës dhe jo konkurrenca e forcës.