Flet Avni Arifi, tregon procedurat për ambasador në Emiratet Arabe dhe sa zgjasin ato

LAJME

Arifi: Ky problem është dashur të zgjidhet të njëjtën ditë kur jemi liruar

Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Avni Arifi, ka përfunduar mandatin e tij në këtë shtet.

Ai dhe 11 ambasadorë të tjerë u shkarkuan nga Qeveria në maj të këtij viti.

Vendin e tij ende nuk e ka zënë askush, pasi ambasadorët e rinj nuk janë emëruar ende.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ish ambasadori ka thënë se kjo punë për zgjedhjen e ambasadorëve të rinj është dashur të zgjidhet menjëherë pasi ata janë liruar nga detyra.

Ai ka treguar dhe rrjedhën e procedurës për ambasador në vendin ku ishte ai dhe sa zgjasin procedurat.

“Ky problem është dashur të zgjidhet të njëjtën ditë kur jemi liruar, për shkak se deri te fillimi i punës për ambasadorin e ri ka shumë procedura. Në rastin e Ambasadorit në Emirate procedura është kjo: Pasi që Presidenca e dekreton ambasadorin e ri dërgohet notë verbale tek vendi pritës për marrjen e pëlqimit për ambasadorin e ri. Vendi pritës e dërgon pëlqimin (agremanin) pas procedurave të brendshme të tyre me verifiku p.sh se a ka qenë ky person ndonjëherë në kundërshtim me vendin pritës. Kjo procedurë zgjat mes 6-12 javë. Në këtë periudhë është mirë që ambasadori i propozuar as si turistë të mos shkojë atje. Pas marrjes së pëlqimit Ambasadori mund të shkojë atje por deri në dorëzimin e letrave kredenciale nuk ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitetet qeveritare. Tek pas dorëzimit të letrave që mundet të shkojë deri në 3 muaj dhe ambasadori akreditohet si i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.