Haxhiu: Vitia kishte kohë të vallëzonte në dasma derisa virusi ishte mes nesh

Haxhiu: Vitia kishte kohë të vallëzonte në dasma derisa virusi ishte mes nesh

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë që fajtori kryesor i cili e ka sjellë situatën me pandeminë në gjendjen që është sot është sipas tij, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Haxhiu e komentoi edhe deklaratën kur Vitia në një konferencë tha që “bashkëpunim është edhe kur nuk dezinformoni për afatin e vaksinave”.

“Vitia në momentin kur e ka pranuar donacionin Astra Zeneca nga Noervgjia të cilin ky shtet e ka larguar nga përdorimi ka bërë shkelje ligjore dhe nëse ne i tregojmë ministrit mos gabo se po e shkel ligjin dhe mund të penalizohesh, atëherë kjo nuk është dezinformatë, por është vërejtje dhe këshillë për MSH-në dhe Vitinë”.

“Kjo sepse IKSHPK-ja kur ka larguar nga përdorimi vaksinat AstraZeneca ka lëshuar një njoftimi në të cilin ka thënë që këtyre vaksinave iu skadon afati. Pas ngritjes së kësaj vërejtje nga ana ime sipas raportit të IKSHPK-së së Norvegjisë, MSH e Norvegjisë ka njoftuar opinionin dhe MSH-në e Kosovës që disa prej këtyre vaksinave u skadon afati në fund të muajit korrik e disa të tjera në fund të muajit gusht”.

Sipas Haxhiut, ministri Vitia është fajtor për këtë rast pasi është dashur që të mobilizojë ekipet e vaksinimit që të punojnë edhe në vikend, në mënyrë që sipas tij këto vaksina të distribuohen.

“Ministri ka gjetur kohë me shku në bregdet dhe me vallëzu në dasma, ndërkohë që virusi po vallëzonte në mes nesh dhe situata sot me pandeminë është për shkak të keqmenaxhimit të MSH-së dhe është një përgjegjës i cili është Vitia, i cili e ka rrezikuar shëndetin publik. Derisa afati po skadonte vaksinave qendrat e vaksinimit po mbaheshin mbyllur ditëve të vikendit”, tha ai.