“Këtu është dhimbja e Serbisë”, Tërmkolli në përkrahje të Kurtit: Vuçiq është lazdruar

“Këtu është dhimbja e Serbisë”, Tërmkolli në përkrahje të Kurtit: Vuçiq është lazdruar

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli përmes një shkrimi në Facebok ka reaguar në lidhje me reciprocitetin që ka vendosur gjatë ditës së djeshme kryeministri Kurti për Serbinë.

Ajo përkrahu këtë vendim të Kurtit duke thënë se është plotësisht i drejtë dhe në kohë, përcjell “Bota sot”.

Duke vazhduar ajo thotë se dhimbja e Serbisë është që marrëveshja tashmë po zbatohet nga të dy shtetet dhe se vendimi për targat mund të heqet vetëm me një marrëveshje të re me të cilën të dy shtetet pajtohen t’i pranojnë targat e njëri tjetrit.

Po të vonohej vendimi, prishej gjithçka, shkruan në fund Tërmkolli.

Postimi i plotë

Targat, po pra!

Vendimi i Kryeministrit Kurti për targat është plotësisht i drejtë dhe në kohë. Favoret që i janë bërë Serbisë me targat për pesë vite me radhë nga ana e BE-së dhe nga negociatorët e mëhershëm të Kosovës, e kanë “alarmuar” Vuçiqin dhe të gjithë zyrtarët tjerë të Serbisë, prandaj tërë ditën e lume vërshuan me viktimizim, kërcënime, snajperë etj.etj. Vuçiq është lazdruar nga favorizimet e vazhdueshme që e kanë bërë të ndihet se vetëm Serbia është shtet ndërsa Kosova “bën” të jetë më pak shtet ose fare! Që do të thotë se duhet të kuptohet njëherë e mirë se çdo favor që i është bërë deri sot Serbisë është kthyer bumerang për Kosovën. Marrëveshjen për targat e ka pranuar edhe Serbia dhe se pas pesë viteve favorizim, nga sot marrëveshja duhet të zbatohet edhe për ta. Kaq!. Pra duhet të zbatohet në mënyrë reciproke nga të dyja shtetet. Këtu dhe vetëm këtu është “dhimbja” e Serbisë! E, pra Kosova është shtet!

Vendimi për targat mund të heqet vetëm me një marrëveshje të re me të cilën të dy shtetet pajtohen t’i pranojnë targat e njëri tjetrit. Në emër dhe në funksion të lëvizjes së lirë.

Mund të bëjmë kritika sa të duam, por shteti është i të gjithëve.

Bllokada në rrugë, në kufi, e nxitur dhe e organizuar nga Serbia, është ndërhyrje në punët e Kosovës. Qeveria duhet të reagojë, gjithnjë në koordinim me miqtë e partnerët tanë amerikanë e evropianë.

Tani, kur u mor vendimi për targat, ka qëlluar të jetë edhe kohë e të vjelave të rrushit, dardhave, kumbullave, kungujve, etj. Po të vonohej vendimi, prishej gjithçka!