“Kur bëhen pazaret e mëdha, pazaret e vogla prishen”, Shasha jep një paralajmërim për Kosovën

LAJME

Drejtori i institutit Epik, Demush Shasha, permes një postimi në facebook ka shkruar se Kosova duhet të marr mësim nga lajmi i prishjes së marrëvshjes “AUKUS”.

Sipas tij, kur bëhen pazaret e mëdha, pazaret e vogla prishen.

“Por mesazhi është se vendet e mëdhaja bëjnë marrëveshjet e mëdhaja dhe një ditë mund të kuptosh se fati yt është përcaktuar me një tavolinë që ti nuk je ftuar fare. Njëjtë siç ka kuptuar sot Franca”, ka shkruar Shasha, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Kur bëhen pazaret e mëdha, pazaret e vogla prishen. Ky është mësimi që duhet të nxjerr edhe Kosova nga lajmi kryesor i sotëm ndërkombëtar.

Sot jemi zgjuar nga gjumi për të kuptuar se SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë arritur marrëveshjen “AUKUS” e cila do të ofroj Australisë tetë nëndetëset bërthamore për tu përgjigjur rritjes së ndikimit të Kinës në rajon. Si pasojë e kësaj marrëveshje, Australia ka prishur pa asnjë paralajmërim marrëveshjen prej 90 miliardë dollarë për blerjen e dymbëdhjetë nëndetëseve Francezë. Ministri i Jashtëm i Francës nuk kursej frustrimin duke e cilësuar këtë zhvillim: “Thikë pas shpine”.

Marrëveshja e arritur konsiderohet historike pasi që SHBA për herë të parë është pajtuar të ndaj me një vend të tretë teknologjinë dhe sekretet ushtarake të ndërlidhura me nëndetëset bërthamore. Ky zhvillim duhet shikuar në dritën e vëmendjes së shtuar të SHBA-ve për të kontrolluar rritjen e Kinës.

Tani pse është kjo me rëndësi për Kosovën dhe Ballkanin? Arkitektura politike, ekonomike dhe e sigurisë e aleatëve perëndimor në Ballkan ka qenë tradicionalisht e bazuara mbi dy teza: e para, rajoni duhet të këtë paqe dhe duhet të integrohet në strukturat euro-atlantike, dhe e dyta duhet të parandalojmë ndikimin e Rusisë në rajon. Në kohën e ngritjes së kësaj arkitekture Kina ka qenë pothuaj inegzistente në skenën ndërkombëtare.

Sot kjo arkitekturë ndërkombëtare po evoluon, kryesisht për shkak rritjes së Kinës. Dhe me të është duke evoluar edhe rëndësia e çdo vendi dhe çdo marrëveshje ndërkombëtare. Partneritetet e vjetra po prishen, aleancat e reja po ngritën.

Patjetër se nuk implikoj se roli i Kinës në Ballkan është në çfarëdo forme i ngjashëm me rajonin Indo-Pacifik, dhe se tani duhet pritur ndonjë zhvillim të ngjashëm në rajon. Jo. Por mesazhi është se vendet e mëdhaja bëjnë marrëveshjet e mëdhaja dhe një ditë mund të kuptosh se fati yt është përcaktuar me një tavolinë që ti nuk je ftuar fare. Njëjtë siç ka kuptuar sot Franca.