Lajmërohet Isa Mustafa, ka disa fjalë për shtyrjen e zgjedhjeve dhe shefin e kabinetit të Osmanit

LAJME

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar si të gabueshëm vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. 17 tetori është përcaktuar më herët si data e zgjedhjeve komunale nga presidentja Vjosa Osmani, datë kjo e cila mund të ndryshojë.

Mustafa e ka cilësuar edhe si “reagim banditesk” atë të shefit të kabinetit të presidentes, Blerim Velës, karshi medieve. Vela përgjatë ditës i ka akuzuar mediet për dezinformim.

“Sot kishte një reagim banditesk nga zyra e Presidentes ndaj mediave lidhur me këtë temë. Edhe kjo dëshmonte se ajo zyrë nuk është në funksion të unitetit por në shërbim të etiketimeve në vijën e politikave militante”, ka thënë ish-shefi i LDK’së.

Ai i ka cilësuar zgjedhjet si aktin më të lartë demokratik të një vendi, derisa ka vlerësuar se ka forma të tjera për t’u ruajtur shëndeti i qytetarëve.

“Presidentja ka të drejtë të trajtojë vlerësimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së, por gabon keq nëse i shtynë zgjedhjet. Zgjedhjet janë atributi kryesor i demokracisë, i shprehjes së besimit të popullit se kush duhet ti qeverisë. Ka mënyra që zgjedhjet të mbahen dhe të ruhet shëndeti i qytetarëve”.

Reagimi i Mustafës vjen në kohën kur Presidenca u ka bërë thirrje subjekteve politike që të mbajnë një takim konsultativ lidhur me rekomandimet e IKSHPK-së për zgjedhjet lokale.