Plani i Vuçiqit për gjunjëzimin e Kosovës/ Publicisti ka një kërkesë për Ramën, i kërkon bisedime me këta persona

LAJME

A mund të përfitojë Kosova diçka nga miqësia e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiq?

Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë acaruar kohëve të fundit, pas projektit të “Ballkanit të Hapur”.

Shkaku i kësaj, po del të jetë afërsia e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Pasi, duke përkrahur politikat e Serbisë, Rama një mënyrë po i del kundër interesave të Kosovës.

Publicisti Emin Azemi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar afërsinë e kryeministrit Edi Rama me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Krahas kësaj, ai e përmendi edhe faktin se si shteti serb po punon vazhdimisht që ta dëmtojë shtetin e Kosovës.

“Serbia vazhdon ta injorojë shtetësinë e Kosovë, madje po punon pa rreshtur që ta dëmtojë shtetin e Kosovës në të gjitha aspektet. Në anën tjetër, janë nënshkruar në Bruksel disa marrëveshje, të cilat Serbia nuk i zbaton, për arsye se ajo nuk pranon marrëveshje me një shtet që nuk e njeh, ndonëse Kosova gjithmonë është treguar e gatshme të gjejë mënyra se si të tejkalohen problemet e hapura me Serbinë. Mirëpo kjo nuk ka mjaftuar pasi që Beogradi zyrtar nga Kosova ka kërkuar që të heqë dorë nga një pjesë e sovranitetit të saj, në llogari të formimit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, deklaroi publicist.

Në vazhdim, Azemi tha se në projektin e “Ballkanit të Hapur” ka disa absurditete, e njëra ndër ta është proklamimi i katër lirive universale, ndërkohë që Kosovës iu mohon këto liri nga Serbia.

Një nga mohimet është edhe heqja dorë e qytetarëve të Kosovës nga dokumentet e tyre nëse duan të bëjnë tregti me Serbinë.

“Pra, Serbia me këmbëngulje synon bosnjizimin e Kosovës, kurse në anën tjetër e lanson idenë e “Ballkanit të Hapur”. Në fakt këtu ka një absurditet të cilin si duket Edi Rama ende nuk e ka kuptuar: Si është e mundur të proklamohen katër liritë universale përmes “Ballkanit të Hapur”, ndërkohë që Kosovës i mohohen këto liri, për arsye se ajo duhet t’i plotësojë kushtet e Serbisë për të lëvizur nëpër tokën e saj. Gjegjësisht qytetarët e Kosovës që merren me biznes duhet t’i heqin nga dokumentet e tyre atributet e shtetit të tyre, nëse duan të bëjnë tregti në Serbi, nëse duan të lëvizin me automobila me targa të Kosovës etj.,” theksoi ai.

Tutje, publicist beson që Vuçiq po e përdorë “Ballkanin e Hapur” me qëllim që ta gjunjëzojë Kosovën dhe t’i heq atributet e shtetësisë.

Ai kërkoi nga Rama që para se të bisedojë me serbët dhe maqedonasit, të bisedojë me udhëheqësit e Kosovës

Nëse “Ballkani i Hapur” nuk i zgjidh këto çështje, atëherë për çfarë lirish mund të flasim, apo ndoshta Vuçiqit i nevojitet përkrahja e Ramës që ta gjunjëzojë Kosovën dhe t’ia heqë asaj atributet e shtetësisë.

Tirana zyrtare duhet të kthjellet dhe para se të bisedojë me serbët dhe maqedonasit, duhet të ulet në një tryezë me udhëheqjen e Kosovës, që t’i sheshojnë në praktikë dëmet dhe dobitë nga “Ballkani i Hapur”. Nëse udhëheqja e Kosovës pretendon se nga ky projekt ka më shumë dëm se dobi, atëherë Edi Rama duhet të pajtohet me këtë qasje dhe nuk duhet t’i bie murit me kokë, siç po provon aktualisht”, nënvizoi ai.

Ndërsa, Azemi beson që nuk mund të ketë bashkëpunim të mirë rajonal nëse Kosova trajtohet si ‘gropë e zezë’.

Ai tha se Shqipëria mund të ketë raporte me Serbinë, vetëm nëse nuk dëmtohen interesat e Kosovës.

“Bashkëpunim të frytshëm rajonal nuk mund të ketë aty ku përjashtohet Kosova, aty ku Kosova trajtohet si gropë e zezë, e cila duhet të kamuflohet për të funksionuar gjoja qarkullimi i lirë i njerëzve, ideve e kapitalit. Shqipëria dhe Serbia mund të kenë raporte në mes veti, vetëm nëse nuk dëmtohen interesat e Kosovës. Nëse dëmtohen këto interesa, atëherë Tirana zyrtare është mirë të rishqyrtojë sa më pare raportet e saja me Serbinë, sidomos në kontekst të projektit “Ballkani i Hapur””, potencoi ai.

Në fund, publicist Azemi tha se Shqipërisë nuk duhet të qëndrojë neutralisht në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, por duhet të mbajë anën e Kosovës.

Ai deklaroi se nëse Kosova nuk përfiton nga miqësia e Ramës me Vuçiqin, atëherë miqësia e tyre është e orientuar kundër interesave të Kosovës.

“Puna më e mençur e Edi Ramës dhe diplomacisë shqiptare do të ishte që në muajt në vijim t’i gjenden pranë Kosovës në procesin e dialogut në Bruksel. Shqipëria nuk guxon të qëndrojë plotësisht neutrale në këtë proces, madje ajo duhet të kërkojë që të ketë statusin e vëzhgueses në tryezën e dialogut. Kjo edhe për faktin se Edi Rama po lavdërohet se e ka mik Aleksandër Vuçiqin. Tani shtrohet një pyetje e logjikshme: Nga kjo miqësi a mund të përfitojë diçka edhe Kosova? Nëse përgjigja është negative, atëherë miqësia e Ramës me Vuçiqin është drejtpërdrejt e orientuar kundër interesave të Kosovës”, përmbylli Emin Azemi, përcjell “Bota sot”.