Qeveria: Nuk e kemi refuzuar projektin për tubacionin e gazit natyror në Kosovë

Qeveria: Nuk e kemi refuzuar projektin për tubacionin e gazit natyror në Kosovë

Qeveria e Kosovës, përmes zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, kanë demantuar raportimet se është refuzuar projekti i MCC-së për tubacionin e gazit natyror në Kosovë. Kryeziu, në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, tha se që nga konferenca e Ministres së Ekonomisë nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth projektit të tubacionit të transmetimit të gazit natyror që është kthyer prej javësh në çështje diskutimi në vend.

“Jo, nuk është e vërtetë. Nuk ka asgjë të re që nga konferenca për media të cilën e ka mbajt sot Ministrja Rizvanolli ku i ka sqaru të gjitha detajet rreth çështjes”, tha Kryeziu, i pyetur nëse ekzekutivi i udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti kanë marrë vendim që Qeveria e Kosovës të refuzojë projektin e Korporatës Financiare të Mijëvjeçarit (MCC), i propozuar si pjesë e një serie propozimesh për një kompakt të ri që do të ndihmonte Kosovën në lidhjen me një tubacion ekzistues të transmetimit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot gjatë ditës, përmes një konference për media tha se Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendimin në lidhje me këtë projekt për tubacion të gazit natyror. Kjo pasi sipas Rizvanollit duhet ende qartësim sa i përket financave për projektin.

“Sa i përket ndërtimit të infrastrukturës së gazit ne kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit që është agjension zhvillimor i SHBA-ve, arsyeja është se MCC ka filluar një studimi parafizibiliteti e më pastaj edhe fizibiliteti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë dhe ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë i cili do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Një gjë që është e paqartë është që MCC nuk do të financonte tërë projektin, sepse do të kishim të bëjmë me një investim shumë më të madh nëse do të vendosim për ndërtimin e kësaj infrastrukture”, tha Rizvanolli.

Se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ende vendim për çështjen e projektit të MCC-së për tubacionin e gazit natyror në Kosovë, dhe se diskutimit mes Qeverisë kosovare dhe agjensionit federal amerikan rreth këtij projekti janë duke vazhduar, e ka pohuar pak orë më parë edhe zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Eric Brassil, në një prononcim ekskluziv për Gazetën Online Reporteri.net.

“Diskutimet janë duke vazhduar nëse Qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë propozim”, i tha Gazetës Online Reporteri.net zëdhënësi Brassil, të premten. Tutje, zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në përgjigjen e tij përmes e-maili, theksoi se nuk ka asnjë projekt të lidhur me qeverinë amerikane në shqyrtim për të sjellë gazin amerikan në Kosovë, siç është aluduar në muajt e fundit.

Ai sqaroi se bëhet fjalë për projektin e MCC-së për lidhjen e Kosovës me tubacionin ekzistues të transmetimit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk ka asnjë projekt në shqyrtim të lidhur me qeverinë amerikane për të sjellë gazin amerikan në Kosovë. Megjithatë, Qeveria e Kosovës dhe Korporata Financiare e Mijëvjeçarit po shqyrtojnë një projekt të propozuar si pjesë e një serie propozimesh për një kompakt të ri që do të ndihmonte Kosovën në lidhjen me një tubacion ekzistues të transmetimit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut. Shumica e financimit, megjithatë, do të vinte nga fondet e BERZH dhe WBIF. Diskutimet janë duke vazhduar nëse Qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë propozim”, i tha zëdhënësi e Ambasadës së ShBA në Prishtinë, Eric Brassil, ekskluzivisht Gazetës Online Reporteri.net.

Tutje, në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë sqarohet rëndësia që do të kishte projekti i tubacionit amerikan të gazit duke renditur 4 ndikime kryesore në ekonominë e Kosovës.

Në përgjigjen e zëdhënësit Brassil për Gazetën Online Reporteri.net theksohet se infrastruktura jo adekuate energjetike pengon zhvillimin e fuqishëm ekonomik të Kosovës duke përmendur kostot e furnizimit elektrik me qymyr, i cili sipas Ambasadës së ShBA në Prishtinë kufizon konkurrencën. Ndërkaq, Brassil sqaron se projekti i diskutuar nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës Financiare të Mijëvjeçarit do të ndihmonte në tranzicionin drejt elektricitetit larg nga prodhimi me thëngjill.

“Projektet e propozuara fokusohen në zbutjen e shkaqeve rrënjësore të kufizimit të energjisë në Kosovë, ndërsa sigurojnë ndihmë plotësuese për sektorin e energjisë, si dhe mbështetjen e një tranzicioni të drejtë, larg nga prodhimi i thëngjillit me intensitet të lartë të karbonit. Megjithëse nuk është një kufizim detyrues, mungesa e pjesëmarrjes së grave në ekonomi trajtohet gjithashtu në këto projekte dhe është kritike për aftësinë e grave për të përfituar nga një Marrëveshje MCC”, thotë sqarimi i zëdhënësit Brassil për Gazetën Online Reporteri.net, në lidhje me projektin për tubacionin e gazit natyror.

Përkundër demantimit edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Gazeta Express të premten në mbrëmje, ka vazhduar të raportojë spekulime të ndryshme rreth kësaj çështje, përfshirë edhe të tilla se Qeveria e Kosovës e ka refuzuar projektin për gazin natyror. /Reporteri.net/.