Reagon ambasada amerikan: Me ndihmën e sotshme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane

LAJME

Kosova sot ka pranuar donacioni prej 503,100 doza të vaksinës anti-Covid nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo edhe njëherë dëshmoi se Kosova dhe SHBA kanë marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme.

Ndaj këtij donacioni ka reaguar edhe ambasada amerikane në Kosovë.

Tutje, ambasada amerikane u shpreh se me donacionin e sotëm po vihen themelet për një Kosovë sovrane.

“Me ndihmën e sotshme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane, të vetëmjaftueshme dhe të qëndrueshme të së nesërmes; një Kosovë që përqafon përgjegjësitë e saj në vend, por edhe si partnere e barabartë në rajon, brenda Evropës dhe në botë”, thuhej në njoftimin e ambasadës, përcjell “Bota sot”.

Njoftimi i plotë

Sot Shtetet e Bashkuara ia dhuruan Kosovës një shtesë prej 503,100 doza të vaksinës jetëshpëtuese të sigurta dhe shumë efektive të Pfizer. Përfshirë këtu edhe kontingjentin e parë të ardhur më 20 gusht, Shtetet e Bashkuara kanë sjellur mbi 538,200 doza për të mbrojtur kosovarët, duke përfaqësuar donacionin më të madh të vaksinës kundër COVID-19 për Kosovën, nga cilido vend apo organizatë tjetër.

Dërgesa e sotshme është pjesë e përkushtimit të Presidentit Biden për të ndarë dozat e vaksinës COVID-19 nga furnizimet vendore amerikane për të mbështetur nevojat globale. Pasiqë asnjë vend nuk mund ta mposhtë COVID-19 vetëm, në qershor, Shtetet e Bashkuara fillimisht u përkushtuan për të ndarë 80 milionë doza vaksine me botën.

Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim të Covax-it (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19. Me kontributin financiar prej 4 miliardë dollarë për Gavi në mbështetje të COVAX, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh financiar në Covax. Covax-i baskëudhëhiqet nga Koalicioni për gatishmëri dhe inovacion ndaj epidemive (CEPI), Gavi – Aleanca për vaksina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) së bashku me UNICEF-i si partnerë kryesorë për dërgesa. Me këtë dërgesë, Kosova ka pranuar mbi 700.000 doza përmes COVAX AMC.

Përveç vaksinave, prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar gati 4 milion dollarë për pajisje mbrojtëse, pajisje mjekësore, grante për mësim përmes internetit, si dhe ndihmë tjetër lidhur me Covid-19 për të ndihmuar shkollat, objektet shëndetësore, familjet dhe komunitetet anembanë 38 komunave të Kosovës. Me ndihmën e sotshme, po vëmë themelet për një Kosovë sovrane, të vetëmjaftueshme dhe të qëndrueshme të së nesërmes; një Kosovë që përqafon përgjegjësitë e saj në vend, por edhe si partnere e barabartë në rajon, brenda Evropës dhe në botë.