Suedia jep një lajm të keq për qytetarët e Kosovës

LAJME

Suedia ua ndalon hyrjen qytetarëve të Kosovës, përveç rasteve urgjente

Suedia ka vendosur të rivendosë kufizimet e hyrjes për udhëtarët nga SHBA dhe pesë vende të tjera, por do të marrë parasysh rregulla më të buta për njerëzit e vaksinuar.

Qeveria suedeze sot zgjati zyrtarisht ndalimin e hyrjes në Suedisë të udhëtarëve nga shtetet jashtë BE-së dhe Zonës Ekonomike Evropiane deri më 31 tetor, siç raportoi The Local javën e kaluar, përcjell Bota sot.

Ekzistojnë disa përjashtime nga ndalimi, përfshirë ata që udhëtojnë për arsye specifike, si dhe nga vende të caktuara, por gjashtë vende u hoqën të enjten nga lista e “vendeve të sigurta”: Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kosova, Libani, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, bazuar në rritjen e infeksioneve Covid-19 në ato vende. Nga 6 shtatori, ndalimi i hyrjes do të zbatohet edhe për këto vende.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që të gjitha udhëtimet nga ato vende do të ndalohen, pasi udhëtarët mund të bien në një kategori tjetër të përjashtuar, siç është udhëtimi për arsye urgjente familjare ose nëse ata kanë nënshtetësi të BE -së ose leje qëndrimi në Suedi.

Vendimi për të rivendosur kufizimet në këto gjashtë vende erdhi nga një rekomandim i BE-së.

Suedia aktualisht nuk bën dallim midis udhëtarëve të vaksinuar dhe atyre të pavaksinuar kur bëhet fjalë për të udhëtuar nga jashtë Bashkimit Evropian, por qeveria la të kuptohet se përjashtime të tjera për udhëtarët e vaksinuar “që banojnë në disa vende të treta” mund të jenë në rrugë.

“Ka një numër vendesh me të cilat Suedia ka marrëdhënie të ngushta. Atje, qeveria tani do të hetojë mundësinë e përjashtimit të banorëve të vaksinuar plotësisht në disa vende të treta”, tha Ministri i Brendshëm Mikael Damberg për agjencinë e lajmeve TT të enjten.

“Unë jam duke menduar kryesisht për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe Shtetet e Bashkuara, edhe pse Shtetet e Bashkuara janë më komplekse dhe shumë shtete kanë rregulla shumë të ndryshme”, tha ai.

Ai nuk dha ndonjë indikacion se kur mund të futen përjashtime të tilla./Botasot