“Viktimat e Mustafës ishin pjesë e LDK-së”/ Flet bashkëluftëtari i Sali Çekajt, tregon nga ku ishin të komanduara të gjitha vrasjet

“Viktimat e Mustafës ishin pjesë e LDK-së”/ Flet bashkëluftëtari i Sali Çekajt, tregon nga ku ishin të komanduara të gjitha vrasjet

Në gjykimin qe ka nisur ndaj Salih Mustafës, Cezary Michalczuk nga zyra e Prokurorit të Specializuar, Jacka Smith, ka deklaruar se të gjitha viktimat e Sali Mustafës ishin shqiptarë, pjesë e LDK-së.

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, ka deklaruar Cezary Michalczuk nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

Kjo deklaratë e Michalczuk nxiti shumë reagime në opinionin publik, ku familjarë të viktimave politike dhe analistë të shumtë e quajtën këtë si nisje të zbardhjes së vrasjeve të anëtarëve të LDK-së.

Lidhur me gjykimin e nisur në Gjykatën Speciale dhe zbardhjen e vrasjeve politike, për gazetën “Bota sot” ka folur Saim Tahiraj, veprimtar i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

“Fillimi i gjykimit të Sali Mustafës u përcoll me interesim të veçantë nga opinioni i gjerë. Të veçantë e bëri akuza e prokurorisë e lexuar nga Cezary Michalcsuk i cili citoj: “Të gjitha viktimat e Sali Mustafës ishin shqiptarë, pjesë e LDK-së. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. “Faji” i tyre ishte se i përkisnin një partie të caktuar politike- LDK-së”. Kjo akuzë na e kthenë memorien në të kaluarën. Të gjitha vrasjet politike që ndodhën gjatë luftës dhe pas saj, ishin funksionarë të lartë partiak të LDK-së, oficerë karriere, polic dhe gazetarë që ishin pjesë e institucioneve shtetërore të udhëhequra nga LDK apo të afërt me LDK-në”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, këtë e kanë dëshmuar edhe dosjet nga UNMIK DHE EULEX.

“Gjithashtu shumë dëshmitarë e kanë dëshmuar këtë ku mu për këtë disa prej tyre u vranë për të humbur gjurmët. Shumica e këtyre vrasjeve politike nuk u zbuluan deri më sot dhe mbetën barrë e rëndë mbi drejtësinë e kapur në Kosovë. Gjithashtu e kontaminuan ambientin politik dhe shoqërorë tej mase duke ngritur tensione dhe përçarje të mëdha në mes shqiptarëve”, shprehet Tahiraj.

Sipas tij, më në fund ka një pikë shprese për zbardhjen e këtyre vrasjeve.

“Kjo akuzë ndaj Sali Mustafës është një shkëndi shprese se më në fund po fillon diçka drejt zbardhjeve të këtyre vrasjeve politike. Mbetet ende enigmë se sa do të ketë mundësi prokuroria t’i vërtetoj këto akuza! E them këtë sepse ka kaluar një kohë e gjatë dhe dëshmitë mundë të jenë zhdukur dhe dëshmitarët të zhdukur në mënyrë misterioze”, thekson Tahiraj.

Më tej, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj shton se të gjitha vrasjet e anëtarëve të LDK-së ishin të komanduara nga një qendër.

“Nëse prokuroria ka siguruar prova të sakta të cilat e vërtetojnë këtë akuzë atëherë lirisht mundë të themi se është një fillim i mbarë drejt zbardhjeve të të gjitha vrasjeve politike. E them këtë se të gjitha janë të lidhura zingjirë dhe të komanduara nga një qendër, mjafton vetëm një hallkë e zingjirit të kapet pastaj të gjitha do zbulohen deri te koka që urdhëroj këto vrasje”, deklaron Tahiraj,

Për fund, Tahiraj shprehet se muajt në vijim do të jenë me plotë zhvillime interesante, duke paralajmëruar edhe arrestime të reja.

“Muajt në vijim do jenë shumë interesant me zhvillimet brenda kësaj gjykate dhe jashtë saj me arrestimet tjera që do pasojnë. Sa do jetë në gjendje që kjo gjykatë t’i mbrojë dëshmitaret, do e shohim në muajt dhe vitet në vijim! Gjithashtu ruajtja dëshmive dhe mos rrjedhja e informacioneve do jenë sfida të mëdha për të! Nga kjo do varet shumë kredibiliteti dhe besueshmëria ndaj saj. Urojmë që ky fillim i mbarë të vazhdoj dhe sa më parë të zbulohen të gjitha vrasjet politike, kriminelët ta marrin dënimin e merituar! Vetëm atëherë Kosova do jetë plotësisht e lirë”, përfundon për “Bota sot”, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj.